Stabiliteti financiar
Në vitet e fundit, veçanërisht pas krizës globale financiare dhe ekonomike (prej vitit 2007-2009), ruajtja e stabilitetit financiar është rritur në një nga qëllimet më të rëndësishme të bankave qendrore dhe institucioneve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Kriza ka treguar qartë se si çrregullimet në sistemin financiar mund të shkaktojnë pasoja serioze negative për sistemin financiar dhe ekonominë në përgjithësi. Dhe se për ruajtjen e sektorit financiar të shëndetshëm dhe stabil, krahas ruajtjes së stabilitetit monetar dhe mbikëqyrjes së bankave individuale dhe institucioneve të tjera financiare, është i domosdoshëm grupi i veçantë i politikave që do të sigurojnë qasje sistematike në monitorimin e rreziqeve në sektorin financiar. Ky grup politikash është i njohur si politika makroprudenciale, qëllimi i të cilës është të veprojë në parandalimin dhe uljen e rrezikut sistematik dhe forcimit të rezistencës së institucioneve financiare ndaj goditjeve, duke kontribuar kështu në ruajtjen e stabilitetit financiar.
Interesi i bankave qendrore për stabilitetin financiar buron nga qëllimet dhe funksionet e tyre parësore. Kështu, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që është qëllimi kryesor i bankave qendrore, parakusht i rëndësishëm është ekzistenca e sistemit financiar të shëndetshëm dhe anasjelltas. Stabiliteti financiar nuk do të ishte i qëndrueshëm nëse nuk do të ekzistonte stabiliteti i çmimeve. Tek shumë banka qendrore, roli në ruajtjen e stabilitetit financiar është i lidhur ngushtë me funksionin e tyre rregullatore dhe mbikëqyrëse mbi sektorin bankar, i cili kontribuon në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të institucioneve bankare individuale. Stabiliteti financiar është parakushti kryesor për arritjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, që gjithashtu është një nga detyrat e bankave qendrore. Bankat qendrore veprojnë si kreditorë në instancë të fundit dhe kryejnë rol mbikëqyrës mbi sigurinë, stabilitetin dhe efikasitetin e sistemeve të pagesave, të cilat janë gjithashtu funksione të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit financiar.
Duke e njohur rëndësinë e ruajtjes së sistemit financiar të shëndetshëm dhe stabil, Banka Popullore, që në vitin 2004 filloi me aktivitete që nënkuptojnë inkorporimin organizative dhe institucionale të stabilitetit financiar në kuadër të mandatit të saj. U vendos korniza analitike dhe filloi me ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e politikës makroprudenciale. Në vitin 2007 u publikua Raporti i parë i Stabilitetit Financiar për vitin 2006, i cili që atëherë publikohet në bazë të rregullt vjetore, dhe më vonë u shndërrua në detyrim ligjor të Bankës Popullore. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Banka Popullore vazhdimisht kujdeset dhe ndërmerr aktivitete për reduktimin e cenueshmërisë dhe rritjen e rezistencës së sektorit bankar, duke kontribuar për ruajtjen e stabilitetit financiar.
Më 9 gusht 2022, hyri në fuqi Ligji për Stabilitetin Financiar, ku u vendos korniza ligjore për zbatimin e politikës makroprudenciale të Bankës Popullore në raport me sektorin bankar. Banka Popullore kujdeset për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar me zbatimin e politikës makroprudenciale dhe duke ndërmarrë masa makroprudenciale ndaj bankave, shtëpive të kursimit dhe institucioneve të tjera financiare të cilave u ka lëshuar leje.
Banka Popullore e ndan përgjegjësinë për ruajtjen e stabilitetit financiar me rregullatorët e tjerë të sistemit financiar. Për sistem financiar stabil, është i rëndësishëm stabiliteti në të gjitha segmentet e tyre, të cilët janë të ndërlidhur reciprokisht dhe të ekspozuara ndaj goditjeve të përbashkëta që mund të barten nga një segment në tjetrin. Në pajtim me Ligjin për Stabilitetin Financiar, çdo rregullator kompetent i sistemit financiar është i detyruar t’i monitorojë dhe identifikojë rreziqet sistematike, të përcaktojë instrumentet makroprudenciale dhe të marrë masa makroprudenciale për segmentin e sistemit financiar nën kompetencën e tij. Bashkëpunimi i ndërsjellë dhe koordinimi i aktiviteteve të rregullatorëve kompetentë realizohet përmes Komitetit të Stabilitetit Financiar.
Gjatë zbatimit të politikës makroprudenciale, Banka Popullore merr pjesë në punën e Komitetit të Stabilitetit Financiar dhe në nënkomitetet përkatëse, përgatit strategji makroprudenciale dhe bashkëpunon dhe kërkon të dhëna dhe informacione nga institucionet financiare dhe trupa dhe organet e tjera kompetente. Në bazë të të dhënave të mbledhura Banka Popullore kryen analiza të rregullta dhe përgatit raport vjetor për stabilitetin financiar.
Ligji për Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Ligji për Stabilitetin Financiar