Ekzistojnë disa alternativa në të cilat mund të investohen fondet e disponueshme. Zakonisht, investitorët praktikojnë investimin e fondeve të disponueshme në investime të ndryshme për të diversifikuar rrezikun. Në përgjithësi, kjo metodë e ndarjes së fondeve për investime të ndryshme duhet, në thelb, të mundësojë zvogëlimin e rrezikut total të investimeve[1]. Shpesh, ky diversifikim i referohet një kombinimi të investimeve në monedhë vendase kundrejt investimeve në valutë të huaj. Në vendin tonë, ky është rasti me depozitat, ku përveç depozitave në denarë, popullsia ruan edhe depozita në valutë të huaj, më shpesh në euro. Kursimet në valutë të huaj, shpesh të motivuara nga nevoja për diversifikim dhe nga zakonet tona të së kaluarës lidhen me një lloj rreziku të veçantë - rreziku i kursit të këmbimit.
Rreziku i kursit të këmbimit është një rrezik i ndryshimit të mundshëm të kursit të këmbimit valutor, i cili veçanërisht vjen në shprehje gjatë një strukture të ndryshme të aktiveve dhe detyrimeve, gjegjësisht mjeteve në dispozicion dhe kërkesave, përkundër detyrimeve dhe borxheve për pagesë. Në këtë pikëpamje, ekziston një rregullore e veçantë për bankat[2] e cila ka të bëjë me ekspozimi e tyre ndaj rrezikut të këmbimit, me qëllim kufizimin efekteve të mundshme negative nga mospërputhja valutore e aktiveve dhe detyrimeve të tyre. Sipas logjikës së njëjtë, bankat janë të detyruara gjatë analizës së kredisë dhe miratimit të kredive në valutë të huaj për kompanitë të cilat merren me tregti të jashtme dhe rrjedhimisht janë të ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, të shqyrtojnë nëse kompania merr parasysh nivelin e mbulimit të detyrimeve të saj në valutë të huaj (kredia që do të marrë) me hyrjet në valutë të huaj. Për çdo kompani, nëse shumica e flukseve të parave të gatshme për mbulimin e detyrimeve të ndryshme është në valutë të huaj, dhe shumica e të hyrave janë në monedhë vendase, ndryshimi i mundshëm i kursit të këmbimit do të ndikonte mbi aftësinë për shlyerjen e detyrimeve. Rrjedhimisht, gjithashtu edhe amvisëritë, secila në mënyrën e vet, duhet të monitorojnë ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, nëse kanë hyrje dhe dalje në valutë të huaj.
Në vendin tonë, ruajtja e stabilitetit të kursit të këmbimit të denarit në raport me euron tanimë një periudhë më të gjatë kohore, kontribuon për mbrojtjen e subjekteve vendase (popullsisë, kompanive, bankave) nga ky rrezik në raport me euron. Për bankat dhe kompanitë, dhe eventualisht popullatën, të cilat kanë ekspozim valutor nga ndonjë valutë tjetër e huaj (dollarë amerikan ose franga zvicerane), një rrezik i tillë megjithatë ekziston. Në disa vende të rajonit janë harruar përvojat e disa viteve më parë, kur ndryshimi i fortë rritës i vlerës së frangës zvicerane çoi në rritje të konsiderueshme të borxhit të popullatës e cila ka përdorur kredi në këtë valutë (pa mbulim të përshtatshëm me hyrje në valutën e njëjtë), gjë që çoi në pamundësi të shlyerjes së borxhit, dhe kjo u rezultoi në humbje të mëdha për bankat.
Përveç diversifikimit valutor të investimeve, një motivim shtesë për zgjedhjen e alternativës së caktuar investuese, konkretisht zgjedhja e depozitave në denarë ose valutë të huaj si një investim, është dallimi në kthim. Normat e interesit, gjegjësisht kthimi i depozitave në monedhë vendase janë më të larta përkundër kthimit të depozitave në valutë të huaj, pasi norma e interesit të depozitave në monedhë vendase përfshin gjithashtu preminë e rrezikut për ekonominë e vendit në raport me ekonomitë e zhvilluara me valuta të konvertueshme dhe gjerësisht të përdorura (euro, dollarë). Normat e interesit të depozitave në valutë të huaj përcjellin zhvillimet ndërkombëtare të kthimeve të këtyre valutave. Gjatë periudhës së krizës financiare globale, por edhe pas saj, gjatë normave të ulëta (por edhe negative të normave të interesit në euro zonë), normat e interesit për depozita në euro, në vendin tonë, edhe në shumë vende tjera janë shumë të ulëta. Si pasojë, depozitat në monedhë vendase, jo vetëm në kohë krize, por edhe në përgjithësi, mbajnë një kthim më të lartë të kursimeve. Duke pasur parasysh normën e ulët dhe të qëndrueshme të inflacionit, të krahasueshëm me euro zonën, nuk do pritej një ndryshim më i madh në kthimin nominal dhe real të depozitave në monedhë vendase, kështu që për sa i përket kthimit total real, depozitat në denarë janë më fitimprurëse.
Për investuesit të cilët megjithatë rrezikun e kursit të këmbimit e vendosin përpara kthimit, gjegjësisht marrin parasysh të jenë të mbuluar për rrezikun e kursit të këmbimit, ekzistojnë edhe alternativa tjera investuese në formë të depozitave në denarë me klauzolë valutore (si dhe letra shtetërore me vlerë në denarë me klauzolë valutore). Klauzola valutore nënkupton kompensim në rast të shfaqjes së rrezikut të kursit të këmbimit, gjegjësisht gjatë ndryshimit të kursit të këmbimit drejt një valute të caktuar, nëse e njëjta ndodh gjatë periudhës së mbajtjes së instrumentit financiar. Megjithatë, për shkak se këto alternativa financiare janë më pak të rrezikshme (përfshinë edhe mbrojtje nga rreziku i kursit të këmbimit), kontributi i tyre është më i ulët krahasuar me depozitat në denarë (ose letrat shtetërore me vlerë në denarë, përkatësisht).
Çka duhet të dini rreth rrezikut të kursit të këmbimit dhe preferencave valutore gjatë investimit?
Duhet të shqyrtoni me kujdes rreziqet e mundshme nga shfaqja e rrezikut të kursit të këmbimit, duke pasur parasysh mbështetjen e duhur të daljeve në valutë të huaj dhe hyrjeve në valutë të huaj. Rrezikun nga ndryshimi i valutës duhet ta shqyrtoni në kombinim me kthimin i cili mund të arrihet dhe mundoheni të zgjidhni kombinimin më të mirë të aktiveve të investuara, nga aspekti valutor, por edhe aspekti i kthimit.
[1]Kuptimi i metodës së diversifikimit të rrezikut gjatë investimeve është një nga çështjet kryesore përmes të cilave vlerësohet edukimi financiar i popullatës në nivel global.