Më 11 dhjetor 2018, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të BPRM-së, në të cilën u shqyrtuan treguesit kyç për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Bazuar në vlerësimin e kushteve ekzistuese ekonomike dhe financiare, si dhe rreziqeve ekzistuese, Komiteti vlerësoi se ka vend për lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare. Në mbledhje u vendos të zvogëlohet norma bazë e interesit për 0,25 pikë përqindjeje, gjegjësisht prej 2,75% në 2,50%. Oferta e bonove të bankës qendrore në ankandin i cili do të mbahet më 12 dhjetor u mbajt në nivelin e 25.000 milionë denarë.
Zvogëlimi i normës së interesit është reflektim i zhvillimeve të favorshme në tregun valutor, të cilat tregojnë pozitë të jashtme solide dhe pritje stabile për subjektet ekonomike. Të favorshme janë edhe zhvendosjet në bazën depozituese të bankave, gjë që është sinjal për pritje stabile dhe besim. Në përgjithësi, edhe në këtë mbledhje, Komiteti i ruajti perceptimet e deritanishme për themele të shëndosha ekonomike dhe mungesë të mosbalanceve.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomik, të dhënat e vlerësuara për PBB-në për tremujorin e tretë të vitit tregojnë rritje solide ekonomike prej 3,0% në bazë vjetore, shumë më të lartë se sa pritej në parashikimet e tetorit. Nga aspekti i strukturës së rritjes, në tremujorin e tretë, arritjet e favorshme në anën e eksporteve janë faktori kryesor për kontributin e lartë pozitiv të eksportit neto në totalin e rritjes ekonomike. Kërkesa e brendshme, e nxitur nga rrija e konsumit personal dhe publik ka një kontribut pozitiv pavarësisht rënies së vazhdueshme të investimeve bruto. Për tremujorin e fundit, me një vëllim të kufizuar të treguesve me frekuencë të lartë për aktivitetin ekonomik është vështirë të jepet një pasqyrë e saktë për zhvillimet në këtë periudhë. Megjithatë, një pjesë e treguesve të disponueshëm, konkretisht nga industria dhe tregtia, tregojnë rritje të mëtejshme ekonomike.
Nga aspekti i zhvillimeve të inflacionit, në periudhën janar-nëntor, norma mesatare vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit mbeti në nivelin e 1,5% dhe është në përputhje me pritjet. Rreziqet sa i përket parashikimit të inflacionit për vitin 2018 prej 1,6% vlerësohen si të ekuilibruara.
Të dhënat e fundit për rezervat valutore tregojnë rritjen e tyre të mëtejshme, në kushte të zhvillimeve të favorshme në tregun valutor dhe intervenimeve me blerje neto të devizave nga ana e BPRM-së. Zhvendosjet te rezervat valutore në periudhën tetor-nëntor janë diçka më të larta nga pritjet brenda parashikimeve të tetorit, ndërsa analiza e treguesve të mjaftueshmërisë së tyre tregojnë se ata vazhdojnë të jenë në zonë të sigurt. Sa u përket treguesve të sektorit të jashtëm për tremujorin e fundit, numri i tyre aktualisht është i kufizuar. Të dhënat për tregun valutor nga dekada e dytë e muajit nëntor tregojnë neto hyrje në vijë me parashikimet e tetorit.
Arritjet në statistikat e tregtisë së jashtme në tetor gjithashtu tregojnë deficit tregtar, në kuadër të parashikimeve. Sa u përket arritjeve në bilancin e pagesave, të dhënat për tremujorin e tretë të vitit tregojnë suficit më të lartë në llogarinë rrjedhëse në raport me parashikimin e muajit tetor, por edhe dalje financiare diçka më të larta nga pritjet për këtë periudhë.
Sa u përket zhvillimeve monetare, të dhënat fillestare për nëntorin tregojnë përshpejtim të rritjes mujore të depozitave edhe kredive. Kështu, rritje u regjistrua në kursimet e amvisërive dhe depozitat e korporatave. Rritja e aktivitetit kreditues është si pasojë e kontributit pothuajse të barabartë të sektorit “amvisëri” dhe sektorit “ndërmarrje”. Në periudhën tetor-nëntor, arritjet në rrjedhat e depozitave dhe kredive janë në kuadër me pritjet për këtë periudhë sipas parashikimeve të muajit tetor.
Në tregjet e brendshme të parasë u regjistruan aktivitete stabile duke ruajtur gjendjen e favorshme likuide në sistemin bankar. Gjegjësisht, në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Komitetit, mjetet likuide në denarë në banka u ritën para si gjithash si pasojë e hyrjeve të vazhdueshme devizore dhe intervenimeve të BPRM-së për blerje të devizave, të cilat kapin shumën 17.6 milion euro në nëntor dhe 4,8 milion euro në dhjet ditët e para të dhjetorit. Duke pasur parasysh arritjet e këtilla, blerja kumulative e devizave të BPRM-së nga fillimi i vitit deri në 10 dhjetor kap shumën 319,7 milion euro, gjë që është blerja më e lartë në dhjetë vitet e fundit. Prania e BPRM-së me blerje të tepricës së mjeteve devizore në tregun valutor është në kushte të një likuiditeti stabil valutor të bankave, gjë që mundëson përmbushjen e plotë të kërkesës neto të devizave nga klientët e sektorit të korporatave.
Luhatjet afatshkurtra në likuiditetin në denar gjatë nëntorit, bankat e rregulluan përmes vendosjes në depozita njëditore tek BPRM, gjë që mundësoi fleksibilitet të lartë dhe disponueshmëri të fondeve për përkrahjen e qetë të kredive të subjekteve ekonomike vendase.
Në nëntor, në tregjet financiar ndërkombëtare vazhdoi prania e zhvillimeve të ndryshueshme me rritje të averzionit për ndërmarrjen e rrezikut tek investitorët, gjë që kushtëzoi rritje të kërkesës për instrumente të sigurt financiar në eurozonë dhe SHBA. Pozicioni i tregut u nxit nga makro-treguesit më të dobët në eurozonë, dhe në kushte të shqetësimit të rritur për ngadalësim të rritjes ekonomike, investitorët i zvogëluan pritjet për dinamikën e normalizimit të politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane gjatë vitit të ardhshëm. Sinjale për ndërprerje graduale me rritjen e normave të interesit u vërejtën edhe në tregjet amerikane, pas deklaratës së presidentit të bankës qendrore se niveli aktual i normës referente të interesit në SHBA është mesatarisht më i ulët nga niveli neutral. Në kushte të ofertës së rritur të naftës dhe perspektivave të reduktuara për rritje globale ekonomike, çmimi i naftës ka rënë në nivelin më të ulët gjatë shtatë muajt e fundit.
Në përmbledhje, në mbledhje u konkludua se në pajtim me kushtet aktuale ekonomike dhe financiare, perceptimet për ambientin për zbatim të politikës monetare megjithatë janë diçka më të favorshme se paraprakisht, që tregon se ka vend për lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare. Kjo, para së gjithash ka të bëjë me tregun valutor, ku zhvillimet vazhdojnë të jenë të favorshme, duke reflektuar pozicionin më të mirë valutor të sektorit të korporatave, por edhe zhvillimeve të favorshme në tregun e këmbimit. Megjithatë, mbetet konstatimi për rreziqe edhe më tej prezent nga ambienti i vendit dhe i jashtëm, që mund të ndryshojnë trendet e favorshme. BPRM do të vazhdojë me kujdes të monitorojë trendet në periudhën e ardhshme në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.