Nga intervista për Top Tema, Telma TV
Shkup, 7 maj 2020
Të dhënat fillestare tregojnë se thirrja e Bankës Popullore për pagesa pa para të gatshme dhe përdorimi i kartave të pagesave dhe shërbimeve elektronike të bankingut celular është pritur mirë nga qytetarët. Përdorimi i bankingut elektronik nga personat fizikë po rritet ndjeshëm, gjë që në këtë periudhë kontribuon edhe në mbrojtjen e shëndetit. Numri i pagesave të iniciuara përmes bankingut elektronik në mars është rritur me rreth 30% në bazë vjetore, që është shumë më e lartë në krahasim me tendencat e mëparshme.
Këtë e deklaroi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në edicionin e djeshëm të emisionit „Top Tema“ në Televizionin Telma. Ajo theksoi se sipas të dhënave fillestare nga statistikat e pagesave, përpunimi i të cilave është duke u zhvilluar, përdorimi i kompjuterëve dhe i celularëve për të kryer pagesa është rritur. Në mars, rritja vjetore e pagesave të bëra me kompjuter ishte rreth 26,4%, ndërsa më parë, vitin e kaluar në krahasim me vitin 2018, rritja ishte 5,4%. Në të njëjtën kohë, sipas guvernatores, numri i pagesave përmes telefonit celular është rritur me rreth 45.5% në bazë vjetore. Nga ana tjetër, pati një rënie prej rreth 7% në bazë vjetore në pagesat e iniciuara në letër. Aktivitetet e ndërmarra nga bankat pas fillimit të krizës së koronës për mbrojtjen e shëndetit publik gjithashtu kontribuuan në një trend të tillë.
„Sipas të dhënave fillestare, rritja e përdorimit të kartave të pagesave për blerje përmes internetit është veçanërisht e theksuar, me ç’rast, numri i transaksioneve është dyfishuar në mars në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, dhe tendencat e përdorimit të kartave në pikat fizike të shitjes janë pozitive.“ - theksoi Angelovska-Bezoska.
Gjatë emisionit, theksi ishte vendosur mbi parashikimet më të fundit makroekonomike të Bankës Popullore, duke theksuar se ndër të tjera, rënia më e madhe e aktivitetit ekonomik për shkak të krizës së koronës pritet në tremujorin e dytë të këtij viti, pasuar nga një rimëkëmbje graduale dhe në vitin e ardhshëm ekonomia maqedonase do të shënojë një rritje prej 4,7%. Sipas guvernatores, pritjet e këtilla bazohen në supozimin se tronditja e Kovid-19 do të jetë jetëshkurtër.
Baza e depozitave dhe situata në tregun e këmbimit valutor u diskutuan veçmas, me ç’rast, guvernatorja theksoi se këtë herë presionet ishin dukshëm më të ulëta në krahasim me episodet e mëparshme të krizës.
„Të dhënat e marsit tregojnë se nuk ka rënie të depozitave. Më gëzon fakti që gjatë muajit prill situata u stabilizua - baza e depozitave është e qëndrueshme dhe kjo situatë vazhdon edhe në fillim të këtij muaji.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska. Nga mesi i muajit prill, siç theksoi ajo, situata në tregun e këmbimit valutor është stabilizuar ndjeshëm.
Në emision gjithashtu u komentuan edhe masat e marra nga Banka Popullore pas shpërthimit të krizës së koronës. Guvernatorja theksoi se situata po monitorohet vazhdimisht dhe Banka Popullore është e gatshme të marrë masa shtesë në përputhje me kompetencat e saj, nëse kjo është e nevojshme.
Video incizimin nga edicioni i djeshëm i emisionit „Top tema“ mund ta gjeni këtu.