Shkup, 24 korrik 2020
Në kuadër të aktiviteteve për forcim të transparencës së saj dhe përmirësimit të komunikimit me publikun, Banka Popullore fillon një praktikë të re - punëtoritë për gazetarë nga redaktimet ekonomike do të organizohen disa herë gjatë vitit, në vend të formatit të deritanishëm të një punëtorie në vit. Në kushtet që i imponon pandemia e Kovid-19, Banka Popullore tashmë filloi me organizimin e një serie punëtorish elektronike. Është planifikuar që punëtoritë të trajtojnë më shumë tema aktuale dhe të shqyrtohen çështje të ndryshme për informimin e saktë, të plotë dhe në kohë të publikut me të dhënat dhe informacionet që dalin nga veprimtaria e bankës qendrore në vend.
Punëtoria e parë nga seria e punëtorive elektronike u mbajt dje, e cila iu kushtua statistikës së institucioneve tjera financiare (OFI) - fondet e pensionit, kompanitë e sigurimit, fondet investuese, kompanitë për administrimin e fondeve investuese dhe kompanitë për administrimin e fondeve të pensionit, kompanitë financiare dhe kompanitë për lizing. Kjo statistikë relativisht e re e bankave qendrore, siguron të dhëna në kohë dhe më të hollësishme për monitorim dhe analizë të zhvillimeve në këtë sektor të ekonomisë, sipas llojeve të institucioneve financiare. Në të njëjtën kohë gjithashtu kontribuon në vendimet për zbatimin e politikës monetare, për vlerësim të dobësive në sistemin financiar dhe për monitorim të qëndrueshmërisë financiare.
„Gjatë periudhës pas krizës globale ekonomike të vitit 2008, ekziston një tendencë rritëse e lakores së OFI-ve. Vërehen madje edhe norma dyshifrore të rritjes, nga të cilat ekonomia jonë nuk bën përjashtim. Një nga arsyet për këtë janë reformat e mëdha të kryera në rregulloren e fushës së financave në periudhën pas krizës së vitit 2008. Kjo tendencë është e rëndësishme në më shumë aspekte. Në njërën anë, nënkupton ofertë më të madhe të produkteve financiare dhe mundësi të reja për investim, mirëpo në anën tjetër kujdes më të madh, para së gjithash për mbrojtje të konsumatorëve nga marrja e rreziqeve të tepërta, përmes edukimit financiar dhe vendosjes së mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre.“ - theksoi në fjalën e saj përshëndetëse, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska.
Banka Popullore, edhe pse nuk është një trup rregullues për këtë institucione, në pajtim me standardet ndërkombëtare e përgatit këtë statistikë, që është me rëndësi të veçantë për shkak të rolit më të madh të OFI-ve në sektorin financiar dhe rëndësinë e tyre në rritje në ndërmjetësimin financiar. Rrjedhimisht, kjo statistikë, përveç rëndësisë që ka në zbatimin e politikës monetare, ajo është gjithashtu e rëndësishme edhe për arritjen e qëllimit për ruajtjen e stabilitetit financiar.
Gjatë punëtorisë, drejtoresha e Drejtorisë së Statistikës së Bankës Popullore, Sultanija Bojçeva-Terzijan, mbajti prezantimin për statistikën e OFI-ve, me ç’rast më hollësisht u prezantuan të dhënat dhe tendencat në sektorin e OFI-ve, që nga viti 2014 kur këto të dhëna u bënë pjesë e statistikës së bankingut qendror në vendin tonë deri në tremujorin e parë të këtij viti. Në diskutim me gazetarët u trajtuan disa çështje të rëndësishme.
Planifikohet që edhe me punëtoritë e ardhshme elektronike të shqyrtohen tema të reja që janë në kuadër të blloqeve tematike për të cilat ekziston interes në publik, për të cilat deri më tani, Banka Popullore nuk ka organizuar ngjarje të këtilla që u kushtohen gazetarëve.