Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare
Shkup, 16 korrik 2020
Më 14 korrik të vitit 2020 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan treguesit e fundit ekonomikë për ekonominë vendase dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit të bonove të bankës qendrore në tre raste nga fillimi i vitit, në këtë mbledhje u vendos që ajo të mbahet në 1,5%. Ulja e normës bazë të interesit në 1.5%, si dhe ulja e deritanishme e shumës së ofruar të bonove të bankës qendrore, kontribuoi pr rritje të mëtejshme të likuiditetit të sistemit bankar dhe mbështetje të flukseve të kredive në ekonomi. Nisur nga lehtësimi tashmë i kryer i politikës monetare, në këtë mbledhje u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbetet në nivelin aktual, sipas kushteve aktuale ekonomike dhe financiare. Në të njëjtën kohë, likuiditeti i lëshuar përmes instrumentit bazë të Bankës Popullore, në një total prej 15 miliardë denarëve në prill dhe maj, në mbledhje u vlerësua si i përshtatshëm, me ç’rast u vendos që në ankandin e bonove të thesarit që do të mbahet sot të ofrohen bono të bankës qendrore në shumë të pandryshuar prej 10 miliardë denarësh.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe treguesit e fundit ekonomikë në ekonominë vendase. Në përgjithësi, përhapja e virusit Kovid-19 në korniza globale dhe në ekonominë vendase rezultoi me efekte negative mbi aktivitetin afarist dhe pati një ndikim më të shprehur mbi besimin dhe pritjet e firmave dhe konsumatorëve edhe gjatë tremujorit të dytë. Pas ngadalësimit të rritjes së ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti, treguesit aktualisht në dispozicion me frekuencë të lartë për periudhën prill-maj tregojnë efekte të mëtejshme negative nga kriza shëndetësore mbi aktivitetin ekonomike (thellim i rënies së prodhimtarisë industriale dhe të qarkullimit në tregti dhe hotelieri, dhe pas rritjes në tremujorin e parë, rënie shënohet edhe në ndërtimtari).
Sa u përket lëvizjeve të inflacionit, ndryshimet e çmimeve për tremujorin e dytë janë pak më të larta nga parashikimi për tremujorin e dytë, por ata drejtohen nga faktorët e ofertës. Në kushte të këtilla, si dhe me drejtime të ndryshme të rishikimit të çmimeve të importit dhe ndryshueshmërisë së çmimeve të produkteve parësore, një pasiguri rreth inflacionit të parashikuar prej 0% për viti 2020 është e pranishme.
Niveli i rezervave valutore vazhdon të mbahet në zonë të sigurt, me arritjet pak më të mira se sa pritej në tremujorin e dytë. Të dhënat në dispozicion për sektorin e jashtëm për tremujorin e dytë tregojnë një ndikim më të shprehur negativ mbi ekonominë vendase nga përhapja e virusit Kovid-19 edhe gjatë tremujorit të dytë. Megjithatë, parë në muaj, efektet janë më të shprehura në prill, gjë që është në pajtim me ritmin e pritur, ndërsa të dhënat për muajin maj tregojnë rimëkëmbje graduale dhe mundësi që deficiti tregtar të jetë në pajtim me atë që pritet sipas parashikimit për tremujorin e dytë. Në anën tjetër, të dhënat për tregun e këmbimit valutor deri në muajin qershor tregojnë neto hyrje më të ulëta nga transferimet private se parashikimet për tremujorin e dytë, në kushte të rënies së ofertës dhe kërkesës për monedha të huaja.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për muajin qershor tregojnë rritje të qëndrueshme vjetore, në pajtim me parashikimin për tremujorin e dytë të vitit.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Komitetit, pozicioni i likuiditetit të sistemit bankar u mbajt në një nivel relativisht të qëndrueshëm, që vërtetohet edhe me mungesën e nevojës së bankave për huamarrje në tregjet e parasë. Të dhënat për tregjet financiare vendore për muajin qershor tregojnë zhvillime relativisht të qëndrueshme në tregun e këmbimit valutor, që sinjalizojnë përmirësim të mëtejshëm gradual të pritjeve të personave fizikë dhe subjekteve ekonomike. Këto ngjarje u shoqëruan me një rritje të qëndrueshme të likuiditetit devizor të bankave, për të cilin ndihmuan edhe ndërhyrjet e Bankës Popullore me shitje të valutave të huaja. Që nga fillimi i korrikut, ka pasur një kërkesë mesatare neto për valuta të huaja nga subjektet ekonomike, për shkak të së cilës, Banka Popullore nga fillimi i muajit deri më 13 korrik të vitit 2020, më rrallë ndërhyn me shitje të valutave të huaja për bankat mbështetëse, në një shumë totale prej vetëm 3 milionë eurove.
Në qershor, shenjat fillestare për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike globale ndihmuan për forcim të mëtejshëm të optimizmit të investitorëve në tregjet financiare ndërkombëtare, me një rritje të dukshme të indekseve të burës. Megjithatë, pasiguria rreth kohëzgjatjes së rimëkëmbjes ekonomike në nivel global dhe shqetësimet nga një valë e dytë e përhapjes së Kovid-19, ndikuan edhe për një zhvendosje të moderuar për poshtë të kthimit të bonove më të sigurta shtetërore në eurozonë dhe kushtëzuan mbështetje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik nga ana e krijuesve të politikave monetare dhe financiare në korniza globale.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se flukset janë aktualisht stabile dhe treguesit e fundit makroekonomikë kryesisht lëvizin në pajtim me pritjet, me ç’rast pikëpamjet për ambientin e zbatimit të politikës monetare janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Pasiguria dhe rreziqet nga efektet e ardhshme makroekonomike nga pandemia Kovid-19 vazhdojnë të jenë të pranishme si në korniza globale ashtu edhe në ekonominë vendore. Banka Popullore edhe në periudhën që pason me kujdes do t’i monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, me qëllim reagimin e duhur përmes përshtatjes së politikave, nëse e kjo është e nevojshme.