Më 10 shtator të vitit 2019, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan treguesit kryesorë për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Komiteti vlerësoi se pozicionimi monetar është i përshtatshëm për kushtet ekzistuese ekonomike dhe financiare dhe se themelet ekonomike vazhdojnë të jenë të shëndoshë, pa prani të çekuilibrimeve në ekonomi. Mungesa e çekuilibrimeve vërehet përmes inflacionit të ulët dhe qëndrueshëm dhe pozicionit të favorshëm të bilancit të pagesave, kontekst i cili kontribuon për intervenime të vazhdueshme me blerje të valutave të huaja nga Banka Popullore që nga fillimi i vitit. Dinamika dhe struktura valutore e kursimeve të amvisërive tregojnë pritshmëri stabile. Në kushte të këtilla, Komiteti vendosi të mbajë normën e interesit të bonove të bankës qendrore në nivelin e 2,25% dhe në ankandin e bonove të bankës qendrore më 11 shtator 2019 të ofrojë bono në shumë prej 25.000 milion denarë, gjegjësisht shumën e njëjtë si shuma që maturon.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomikë, sipas të dhënave të publikuara në përqindje për PBB-në, aktiviteti ekonomik vazhdoi të rritet në tremujorin e dytë të vitit 2019, me një normë reale vjetore të rritjes prej 3.1% (4.1% në tremujorin e parë). Rritja është e nxitur nga kërkesa vendase, gjatë një rritjeje të vazhdueshme të konsumit privat dhe publik dhe investimeve bruto, ndërsa eksporti neto ka kontribut negativ. Në gjysmën e parë të vitit, rritja e PBB-së arriti 3,6% dhe është diçka më e moderuar për këtë periudhë të vitit. Të dhënat me frekuencë të lartë për aktivitetin ekonomik në korrik tregojnë rritje të mëtejshme, mirëpo numri i treguesve në dispozicioni aktualisht është i kufizuar për nxjerrjen e konstatimeve më të sigurta për rritjen në tremujorin e tretë. Në pajtim me ciklin e parashikimeve të muajit prill, pritet që rritja e ekonomisë në vitin 2019 të arrijë 3,5%.
Norma mesatare vjetore e inflacionit për tetë muajt e partë të këtij viti është 1,1%, me ç’rast rritja e çmimeve është më e ulët se sa pritej. Në të njëjtën kohë, pritjet për zhvillimin e çmimeve të huaja, të cilat ndikojnë mbi çmimet e brendshme, janë rishikuar për poshtë. Rrjedhimisht, rreziqet lidhur me parashikimin e inflacionit për vitin 2019 prej 1,5% vlerësohen si kryesisht të ekuilibruara.
Sa u përket treguesve të sektorit të jashtëm, arritjet në bilancin e pagesave në tremujorin e dytë tregojnë deficit më të vogël në llogarinë rrjedhëse, si dhe neto prurje më të larta në llogarinë financiare, në raport me parashikimet për tremujorin e dytë. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor nga dekada e parë e muajit gusht tregojnë neto hyrje nga transferimet private të cilët janë brenda pritjeve për tremujorin e tretë. Rezervat valutore në fund të gushtit janë më të larta krahasuar me fundin e vitit 2018, me ç’rast të gjithë treguesit e mjaftueshmërisë së tyre vazhdojnë të jenë në zonë të sigurt.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për gushtin tregojnë rritje të mëtejshme në bazë vjetore, duke mos pasur ndonjë devijim të madh në raport me pritjet.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Komitetit, likuiditeti i bankave vazhdon të rritet, kryesisht si reflektim i intervenimeve me blerje të valutave të huaja në tregun e këmbimit valutor nga ana e Bankës Popullore. Gjegjësisht, në gusht Banka Popullore bleu rreth 88 milion euro, në kushte kur bankat për dy muaj me radhë kishin blerje neto të valutave të huaja nga klientët e tyre. Kontribut më të madh për zhvillimet e këtilla ka oferta e mëtejshme sezonale e valutave të huaja nga ana e zyrave të këmbimit, por edhe zvogëlimi i moderuar i kërkesës neto për likuiditet në deviza nga ana e sektorit të korporatave. Krahas zhvillimeve të këtilla, kontribut mbi shumën e lartë mujore të intervenimeve të Bankës Popullore kishte edhe qasja aktive e menaxhimit të aktivit devizor nga ana e bankave, duke pasur parasysh kthimet negative në tregjet financiare ndërkombëtare. Zhvillimet e favorshme në tregun e këmbimit valutor vazhduan edhe në javën e parë të muajit shtator.
Në kushte të rritjes së mëtejshme të likuiditetit në denarë, bankat kishin nevojë të moderuar për huamarrje në tregun ndërbankar të depozitave. Bankat edhe më tej vazhdojnë të drejtojnë tepricën e parave të lira drejt depozitave të disponueshme në Bankën Popullore, të cilat mundësojnë fleksibilitet dhe qasje të lartë të mjeteve për kreditim të pandërprerë të subjekteve të vendit.
Gjatë gushtit, marrëdhëniet tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës u përkeqësua përmes vendosjes së tarifave të reja, gjë që çoi në rritjen e paqëndrueshmërisë në tregjet financiare. Me ç’rast pati një kërkesë të rritur për instrumente të sigurta financiare gjë që çoi në rritje të çmimeve dhe rënie të kthimeve të letrave me vlerë të borxhit në nivel global, si dhe me rritjen e çmimit të arit dhe nënçmimit të Dollarit amerikan në bazë mujore. Sa u përket politikave monetare, në mbledhjet e BQE-së dhe Rezervave Federale u ngrit shqetësim në lidhje me aktivitetin e ardhshëm ekonomik dhe zhvillimet e çmimeve si pasojë e ndikimit të pafavorshëm të tensioneve tregtare dhe faktorëve tjerë gjeopolitik të riskut.
Në përgjithësi, Komiteti konstatoi se treguesit dhe vlerësimet e fundit makroekonomikë tregojnë devijime të caktuara në raport me dinamikën e parashikuar, ndërsa qëndrimet për ambientin e implementimit të politikës monetare kryesisht janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Me ç’rast, përsëri theksohen rreziqet e pafavorshme të mjedisit të jashtëm, të cilat janë më të theksuara në krahasim me periudhën e përgatitjes së parashikimeve të muajit prill. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me kujdes të monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.