Shkup, 8 nëntor 2020
Transpozimi i direktivave dhe rregulloreve të BE-së, i cili aktualisht është intensifikuar, do të krijojë një mjedis konkurrues për një rritje sasiore dhe cilësore të shërbimeve të pagesave, do të nxisë edhe më tej transformimin dixhital të kanaleve për pagesa, veçanërisht me të ashtuquajturën veprimtari e hapur bankare dhe do të rrisë besimin për shkak të nivelit më të lartë të parashikuar të sigurisë gjatë pagesave. Në të njëjtën kohë, do të krijohen edhe kushte për hapjen e tregut të shërbimeve të pagesave dhe lloje të reja të subjekteve jobankë siç janë institucionet e pagesave, institucionet për para elektronike dhe modele të ndryshme të kompanive fintech që do të licencohen dhe mbikëqyren nga Banka Popullore.
Kjo është deklarata e viceguvernaores së Bankës Popullore, Emilia Nacevska, në intervistën për magazinën „Antoris“, të publikuar në ueb portalin „Bankarstvo“. Sias saj, pas miratimit të Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave në ekonominë tonë do të krijohen kushte për ndryshime të konsiderueshme në peizazhin e pagesave sa i përket transformimit dixhital të tij.
„Rregullorja e re do të mundësojë liberalizimin e tregut për shërbimet e pagesave, nxitje të novacioneve dhe forcim të konkurrencës, si dhe forcim të të drejtave të konsumatorëve për informimin e tyre nga ana e ofruesve të shërbimeve të pagesave për kushtet e përdorimit të shërbimeve. Bashkë me Ministrinë e Financave po punojmë mbi Ligjin, dhe tashmë jemi duke përgatitur edhe akte nënligjore që janë nën kompetencën e Bankës Popullore. Nëse në vitet e ardhshme përdoren mundësitë e ofruara nga rregullorja, atëherë ne do të jemi në gjendje të ndjekim tendencat në vazhdim.“ - tha Nacevska.
Sipas saj, si në korniza globale, ashtu edhe në vendin tonë, kushtet gjatë pandemisë kontribuojnë në ndryshimin e shpejtë të zakoneve të pagesave, me ç’rast qytetarët gjithnjë e më shumë gëzojnë përfitimet e kanaleve dixhitale të pagesave. Kështu, veçanërisht në tremujorin e dytë të këtij viti, është e dukshme rritja e lartë vjetore e numrit të pagesave të qytetarëve me karta të pagesave në pikat e shitjes në internet, e cila është 196,6% dhe është pesëfish më e lartë se rritja vjetore prej 32% në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar. Në tërë gjysmën e parë të vitit, siç thekson Nacevska, ka pasur një rritje mbresëlënëse vjetore të pagesave të qytetarëve me karta të pagesave përmes internetit prej 122,6%.
„Forcimi i internet tregtisë nga ana e qytetarëve natyrisht kontribuon edhe në ndryshimin e strategjive të kompanive, gjegjësisht ata përpiqen për një përfshirje më të madhe në këtë segment të veprimtarisë afariste. Kjo vërehet përmes numrit të rritur të pikave të shitjes për internet tregti që në fund të qershorit, krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar u rrit për 203 internet shitore të reja, që është tre herë më e lartë krahasuar me rritjen e periudhës së njëjtë të vitit 2019 kur ishin regjistruar 68 pika të reja të shitjes në internet“ - thekson viceguvernatorja.
Nacevska vlerëson se ndryshimi i zakoneve për pagesa me përdorimin e kanaleve modernet do të mbetet edhe pas pandemisë, dhe do të ishte edhe më mirë nëse në të ardhmen kanalet moderne fillojnë të përdoren nga shumica e qytetarëve që nuk i kanë përdorur më parë.
„Për këtë qëllim, nevojiten investime të mëtejshme në edukimin financiar, por edhe sjellje më proaktive e bankave në komunikim me klientët e tyre dhe modelimin e produkteve të tyre. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kompanitë të investojnë edhe më shumë në tregtinë elektronike. Unë sinqerisht shpresoj se kjo do të ndodhë, duke marrë parasysh trendin e muajve të fundit, por edhe faktin që edhe para pandemisë, siç tregojnë të dhënat, kishte një tendencë në rritje në këtë fushë.“ - porosit viceguvernatorja.
Në intervistë, ajo bëri thirrje që brenda mundësive të përdoren metodat e reja të pagesave, duke theksuar se, duke bërë këtë kursehen burime dhe kohë dhe arrihet efikasitet, dhe në rrethanat aktuale mbrohet shëndeti individual dhe publik.
Intervistën mund ta gjeni këtu.