Më 28 janar të këtij viti, Republika e Maqedonisë aderoi në standardin më të lartë statistikor për shpërndarjen e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar - SDDS Plus. Sot, Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë (BPRM) dhe Ministria e Financave organizuan një ngjarje të përbashkët promovuese në të cilën ky lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm u bë i ditur për publikun.
„Ky është një hap i madh dhe konfirmim i cilësisë së sistemit tonë statistikor. Republika e Maqedonisë është vendi i tetëmbëdhjetë në botë dhe i dyti në Evropën Juglindore që i bashkohet standardit SDDS Plus - i pari mes vendeve të rajonit të cilat ende nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian“ - theksoi Guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Anita Angjelovska-Bezhoska. Në fjalën e saj, ajo theksoi, ndër të tjera, se ky projekt i përbashkët i suksesshëm është një konfirmim i qartë për pozicionimin e të tre institucioneve për përditësim të vazhdueshëm të statistikave kombëtare dhe harmonizimin e tyre me standardet statistikore ndërkombëtare më të reja dhe më të larta.
Siç theksoi Drejtori i ESHS, Apostol Simovski, rëndësia e aplikimit të standardeve të FMN-së u njohën nga bërësit kryesor të hulumtimeve statistikore në sistemin tonë kombëtar statistikor në fillimi të viteve të 2000-ta, kur ata bashkërisht filluan të punojnë në përmbushjen e kritereve për standardin e parë GDSS të cilit Republika e Maqedonisë iu bashkua në shkurt të vitit 2004. „Vetëm për të bërë një krahasim, vendet e rajonit - Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova janë akoma pjesë e këtij standardi.“ - theksoi Simovski, duke theksuar se në nëntor të vitit 2011, Republika e Maqedonisë ka kaluar në standardin më të lartë SDDS - Sistem Special për Shpërndarjen e të Dhënave, pjesë e të cilit akoma edhe sot janë Sllovenia, Kroacia, Belgjika, Greqia, Hungaria, Federata Ruse etj. Pjesë e standardit SDDS Plus, të cilit para disa ditësh iu bashkua vendi jonë janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Austria, Italia, Suedia dhe Japonia.
„Hyrja në SDDS Plus do të kontribuojë për besim dhe pozitë më të lartë midis organizatave financiare ndërkombëtare, agjencive për klasifikimin e kreditit dhe më e rëndësishmja - midis investitorëve. Standardet e larta janë vendimtare për investitorët dhe institucionet ndërkombëtare. Nëse i besojnë të dhënat, kjo do të thotë se besojnë edhe shtetin. Duke aderuar në standardin SDDS Plus forcojmë kredibilitetin e shtetit në korniza ndërkombëtare.“ - theksoi Ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Njëkohësisht, bashkimi me këtë standard të FMN-së, rrit konsiderueshëm edhe kapacitetin e ekonomisë maqedonase për përcaktimin në kohë dhe parandalimin e dobësive në sektorin financiar, si dhe rreziqeve të mundshme në ekspozimet ndërsektoriale.
Përmbushja e kushteve të standardeve SDDS Plus përfshin përgatitje të nëntë kategorive të reja të të dhënave, prej të cilave shtatë janë nën kompetencën e BPRM-së, dhe dy janë nën kompetencën e Ministrisë së Financave. ESHS ishte koordinator i grupit punues i cili me dedikim punoi për tu bashkuar me këtë standard, si koordinator i sistemit statistikor kombëtar.
Me hyrjen në SDDS Plus, para bërësve kryesorë të hulumtimeve statistikore në vend ka edhe shumë sfida. Konkretisht, pas përgatitjes dhe dorëzimit të pesë treguesve të parë, në periudhën e mëtejshme, si pjesë e këtij standardi të FMN-së do të dorëzohen edhe katër tregues statistikor të cilët kanë të bëjnë me statistikën e letrave me vlerë, statistikën e llogarive financiare dhe statistikën e financave publike. „Kemi një vizion, kemi ekipe me profesionistë të përgjegjshëm të cilët në bazë ditore punojnë për përmbushjen e qëllimeve të cilat para nesh i vendosi standardi SDDS Plus, kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm ndëristitucional... E gjithë kjo është e nevojshme për ndërtim dhe zhvillim të një statistike bashkëkohore dhe cilësore, është një garanci se në fund do të kemi sukses.“ - ishte porosia e ngjarjes së sotme.
Njoftimi zyrtar i FMN-së, me rastin e aderimit të Republikës së Maqedonisë në standardin SDDS Plus
|
галерија на фотографии 01.02.2019 |