I nderuar Ministër i Financave, Kryetare e KLV-së, Kryetar i MAPAS (Agjencia për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional) dhe përfaqësuese e AMS-së,
Përfaqësues të çmuar të ABM-së dhe medias,
Është kënaqësi e veçantë që Banka Popullore është nikoqire e ngjarjes së sotme të cilën e organizojmë bashkë me institucionet tjera rregullatore me qëllim promovimin e Memorandumit të ri me të cilin do të vazhdojmë të avancojmë bashkëpunimin në fushën e edukimit financiar dhe përfshirjen financiare, me qëllim të afrimit të publikut të aktiviteteve tona të planifikuara afër këtyre segmenteve të rëndësishme.
Në periudhën pas fillimit të krizës financiare globale, edukimi financiar numërohet ndër sfidat dhe aktivitetet e reja të bankave qendrore. Gjegjësisht, periudha e krizës vuri në dukje një sërë dobësish të sistemit financiar duke nënvizuar nevojën për forcim të rregullimit dhe menaxhimit të rreziqeve nga ana e institucioneve financiare, por gjithashtu vëri në dukje edhe nevojën e një popullate financiarisht të edukuar, e cila do t’i kuptojë përparësitë e përdorimit të produkteve të ndryshme financiare, por edhe do të jetë e aftë të mbrohet nga rreziqet e mundshme gjatë përdorimit të tyre. Rrjedhimisht, bankat qendrore në mbarë botën tashmë kanë zhvilluar forma të ndryshme të edukimit financiar, të destinuar kah forcimi i aftësisë së popullatës për marrjen e vendimeve të drejta financiare.
Prandaj, për disa vite, Banka popullore kryen aktivitete në fushën e edukimit financiar, edhe atë kryesisht të destinuara për më të rinjtë, të cilët janë akoma në fazën e hershme të arsimimit dhe fitimit të aftësive, përmes organizimit të ligjëratave dhe botimit të materialeve të ndryshme edukative. Në gjashtë muajt e kaluar janë realizuar takime me rreth 9.000 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme dhe me studentë, ku për studentët mbahen ligjërata të specializuara mbi tema konkrete ekonomike, ndërsa Muzeu i Bankës Popullore i edukon vizitorët e tij për historinë e parasë në këto hapësira.
Në frymën e tendencave në këtë fushë, me memorandumin e ri për bashkëpunim që e nënshkruam sot, jo rastësisht, përveç edukimit financiar, i cili ishte i mbuluar edhe me memorandumin paraprak, në vijën e aktiviteteve tona e numërojmë edhe mbështetjen për përfshirje më të madhe financiare. Lidhje ndërmjet dy fushave është më se e dukshme - një popullatë financiarisht e edukuar ka më shumë njohuri për përfitimet nga përdorimi i shërbimeve të ndryshme financiare, e cila në fund të fundit siguron përfshirje më të madhe të popullatës në rrjedhat financiare dhe qasje të lehtësuar në financa.
Nevoja për arritjen e përfshirjes më të lartë financiar është çështje globale duke pasur parasysh se 1.7 miliard të popullatës në korniza botërore ende nuk kanë qasje në sistemin bankar. Duke pasur parasysh se qasja në financa llogaritet si një nga përcaktuesit kyç për uljen e varfërisë, kjo çështje fiton rëndësi më të madhe.
Treguesit ndërkombëtarë për matjen e nivelit të përfshirjes financiare (indeksi i Bankës Botërore për vitin 2017) tregon nevojën për investimin e angazhimeve të mëtejshme për ngritjen e përfshirjes financiere të popullatës edhe në vendin tonë. Edhe pse vërehet një përfshirje solide financiare nga aspekti i posedimit të llogarisë së transaksioneve (rreth 77% nga popullata e rritur disponojnë llogari të transaksioneve, gjë që është plotësisht e krahasueshme me mesataren në Evropë prej rreth 82%), megjithatë treguesit tjerë tregojnë një hendek më të rëndësishëm: vetëm 17% dhe 53% e popullatës posedojnë kartela kreditore dhe debit, përkundër mesatares evropiane prej 35% dhe 71%, respektivisht; vetëm 27% e popullatës i përdorin kartelat për transaksione të shitblerjes, gjë që është dy fish më pak nga mesatarja evropiane (63%); vetëm 12% e popullatës përdorin qasjen elektronike në llogari, ndërsa internet transaksione bëjnë vetëm 17% të popullatës, që është dy fish më pak nga mesatarja në BE.
Nevoja për kulturë më të madhe financiare është veçanërisht e theksuar në kushte të rritjes së fortë të fintek industrisë. Në vitet e kaluara, në korniza globale vërehet shtimi i kompanive të vogla të cilat ofrojnë produkte financiare teknologjike përparimtare të cilat janë me qasje të lehtë për konsumatorët. Në fakt, një nga avantazhet kryesore që i bart kjo valë e re e novacioneve financiare është pikërisht qasja më e lehtë në produkte të reja, makroprudenciale financiare ose forma të financimit të popullatës dhe ndërmarrjeve të vogla, si burime shtesë për financim të rritjes ekonomike. Megjithatë, përveç fitimeve të shumta, kjo valë e novacioneve në vete bart edhe sfida të reja, si për rregullatorët, ashtu edhe për institucionet financiare, por edhe për klientët. Le të mos e harrojmë mësimin e marrë nga kriza: Qasja më e lehtë në shërbime financiare në plan afatshkurtër ofron avantazhe të shumta për konsumatorët, por në plan afatgjatë mund të çojë në ndërmarrjen e rreziqeve të mëdha, veçanërisht në mungon niveli adekuat i kulturës financiare nga ana e popullatës.
Përfshirja më e madhe financiare në segmente të ndryshme të sistemit financiar kërkon edhe angazhim të përbashkët - të institucioneve rregullatore në aspektin e edukimit dhe rregullimit, por edhe të institucioneve financiare private në aspektin e sigurimit të qasjes më të madhe dhe informimit për shërbimet e ofruara financiare, përfshirë këtu edhe rreziqet shoqëruese. Prandaj, mendoj se është me rëndësi të veçantë që kah fundi i vitit të kaluar, Banka Popullore nënshkroi Memorandum për bashkëpunim në fushën e edukimit dhe përfshirjes financiare edhe me Asociacioni Bankar Maqedonas, ku sektori bankar privat, si segment dominues i sistemit financiar në vend konfirmoi gatishmërinë e tij për angazhim në këto aspekte.
Memorandumin e ri dhe të zgjeruar, jo rastësisht e nënshkruam në prag të Javës Globale të Parasë, në të cilën, si në vitet e kaluara, planifikojmë më shumë aktivitete me të cilat do të forcojmë ndërgjegjen për nevojat e edukimit financiar dhe do të promovojmë përparësitë nga përfshirja më e madhe financiare. Gjatë javës së ardhshme, Banka Popullore do të fillojë karvanin edukativ - ftuam dhe siguruam transport për nxënësit e disa shkollave, kryesisht nga pjesët rurale të vendit, të cilat deri më tani nuk kanë qenë në institucionin tonë, të vizitojnë Bankën Popullore dhe institucionet tjera rregullatore. Gjatë vizitës së Bankës Popullore, nxënësit do të kenë mundësinë të ndjekin prezantime edukative, të marrin materiale edukative të cilat do t’u mundësojnë edukim financiar të përshtatur për moshën e tyre, si dhe të vizitojnë Muzeun e Bankës Popullore. Do të na vizitojnë edhe fëmijët e një foshnjoreje, për herë të parë në kontekst të edukimit financiar, në përpjekje që edhe gjeneratave më të reja t’ua afrojmë rëndësinë e parasë. E gjithë ajo që e realizojmë dhe do ta realizojmë në planin e edukimit financiar për të rinjtë, është investimi ynë për të ardhmen. Si institucione rregullatore, ne jemi të obliguar të sjellim politika për zhvillim dhe mbështetje të sistemit financiar dhe ekonomisë në plan afatgjatë. Nëpërmjet aktiviteteve për pasurimin e njohurive financiare të të rinjve, kontribuojmë për ndërtimin e kapacitetit të gjeneratave të cilat në të ardhmen do të jenë bartësit kryesor të rrjedhave ekonomike dhe financiare ne vend.
Një ngjarje e veçantë në Javën Globale të Parasë do të jetë gara nacionale në kuadër të Kuizit Evropian të Parasë, i cili mbahet për herë të parë në vendin tonë. Këtë aktivitet e filluam kah fundi i vitit të kaluar, me iniciativë të Asociacioni Bankar Maqedonas, në bashkëpunim me Komisionin për Letra me Vlerë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të garës evropiane në këtë fushë për fëmijë të moshave prej 13 deri në 15 vjeç. Publikun tashmë e njoftuam me Kuizin dhe e informuam për interesin e madh dhe përfshirjen masive të nxënësve në vend. Gjatë shkurtit, në Bankën Popullore, nën organizim të katër institucioneve organizuese të Kuizit, u zhvillua edhe një takim përgatitor me stafin mësimdhënës, i cili për Bankën Popullore ishte trajnimi i parë i stafit mësimdhënës në fushën e edukimit financiar. Në garën nacionale, javën e ardhshme, do të zgjidhen fituesit nacional të cilët do të përfaqësojnë vendin në finalen që do të mbahet në Bruksel, në organizim të Federatës Bankare Evropiane.
Do të dëshironim të njoftojmë edhe publikimin e serisë së teksteve të shkurtra edukative, e quajtur Ekonomi për të gjithë. Siç tregon vetë titulli, ajo është e destinuar për të gjithë segmentet e popullatës, përfshirë edhe të rriturit. Përmes këtyre teksteve, në mënyrë të thjeshtë, do të përpiqemi të shpjegojmë terme të caktuara ose fenomene nga fusha e makroekonomisë, financave dhe veprimtarisë bankare. Shpresojmë se përmes kësaj serie të teksteve edukative do të afrojmë punën tonë afër publikut dhe do të kontribuojmë për njohje më të mirë të më shumë çështjeve ekonomike të cilat reflektohen në jetën e përditshme dhe janë direkt ose indirekt të lidhura me veprimtarinë e bankingut qendror.
Më lejoni që në fund të fjalës time, t’i falënderoj rregullatorët tjerë financiar dhe bankat komerciale, për bashkëpunimin e deritanishëm në këtë fushë, por edhe kolegët tanë të cilët punojnë me zell për avancim në këtë fushë dhe në të njëjtën kohë, të shpreh besimin e fortë se me bashkëpunimin tonë të thelluar do të vazhdojmë të kontribuojmë për ngritjen e cilësisë së potencialit njerëzor, si një parakusht kyç për prosperitet në shoqëri.
Çdo fushë ka sfidat e veta dhe në kushte bashkëkohore shoqëritë demokratike përkrahin zhvillimin dhe përfshirjen në çdo sferë të veprimit social - përfshirje në arsim, në ekonomi, përfshirje në gëzimin e të drejtave dhe lirive të përgjithshme. Sfida jonë si rregullatorë të përfshirjes financiare do të thotë qasje e pjesës më të madhe të popullatës në sistemin financiar, mirëpo në mënyrë të qëndrueshme, pa rreziqe të tepërta, që në plan afatgjatë do të kontribuojë për rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, përfitimet e së cilës do të ndjehen nga të gjithë.
Ju faleminderit!