Ekselenca Juaj Zhbogar, i nderuari drejtor Simovski, i nderuar z. Nimand-Andersen, e vlerësuara udhëheqësi e institucioneve rregulluese, ish-ministër i Financave, Tevdovski, zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë që jam në gjendje t’ju drejtohem në festimin e sotëm të Ditës Evropiane të Statistikës.
Duke menduar për konceptin e ngjarjes së sotme, përmes së cilës ne duam të verifikojmë edhe më tej rëndësinë e statistikës, si dhe angazhimin tonë për të prodhuar statistika cilësore në përputhje me standardet e fundit evropiane dhe ndërkombëtare në përgjithësi, mu kujtua që një shekull më parë Herbert Xhorxh Uells kishte thënë: „Në jetën e përditshme të qytetarëve, mënyra statistikore e të menduarit do të jetë aq e nevojshme sa njohuritë për të lexuar dhe shkruar.“ Ai në të vërtetë ka pas të drejtë. Sot, kur informacionet dhe njohuritë duhet të jenë blloqet themelore të shoqërisë, dhe kur as informacioni i plotë, as njohuritë themelore nuk janë të mundshme pa të dhëna cilësore, nuk ka dyshim se statistika është dhe gjithmonë do të jetë e nevojshme, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Prandaj, përgjegjësia që të gjithë e kemi si pjesë e mozaikut statistikor është e madhe - ne krijojmë një të mirë publike që përfiton çdo individ, çdo institucion, krijues i politikave dhe e gjithë kjo kontribuon për një shoqëri të shëndoshë dhe përparimtare.
Dekada e kaluar u shënua me ndryshime tektonike në skenën globale ekonomike dhe financiare. Këto ndryshime nuk i anashkaluan as bankat qendrore. Me shfaqen e krizës u përballëm me rishqyrtimin e të ashtuquajturave politika dhe instrumente të atëhershme konvencionale, u rrit perimetri i funksioneve tona dhe u rritën edhe pritjet nga ne. Funksioni makro-prudencial, zgjidhja e bankave problematike, mbrojtja e konsumatorëve, përfshirja dhe edukimi financiare janë vetëm disa nga fusha ku bankat qendrore kërkohet të luajnë një rol kyç.
Vetë kriza dhe ndryshimet të cilat i shkaktoi ajo në profilin e përgjithshëm të bankave qendrore dhe infrastrukturës vendimmarrëse imponoi nevojën për ndryshime edhe në shtrirjen, granularitetin dhe sistematizimin e të dhënave statistikore të cilat i kemi në dispozicion. Pas krizës, u shfaqën një numër i madh i nismave të reja statistikore (siç është Nisma e G-20 për zbrazëtirat në të dhëna), të cilat synojnë të pasurojnë spektrin statistikor. Fakti që rrënjët e krizës globale ishin pikërisht në sektorin financiar sugjeron se shumica e rekomandimeve pas krizës dhe nevojave për ndryshime në sistemin statistikor prekin pikërisht bankat qendrore. Kriza tregoi se si ndërmarrja e tepërt e rreziqeve mund të çojnë në një kolaps të sistemit financiar. Nënvlerësimi i forcës së lidhjeve të sistemit financiar me sektorin real dhe i ekspozimeve ndërkufitare çoi në vlerësim joadekuat të lidhjeve makro-financiare brenda ekonomive individuale, por edhe të pasojave globale nga goditjet në vendet individuale. Ky kontekst i ri, si dhe reagimet jo-konvencionale të bankave qendrore ndaj kësaj goditjeje patën ndikime të mëdha edhe mbi kërkesat për zgjerim dhe modifikim të të dhënave të rregullta statistikore, si „përbërësi“ më i rëndësishëm për marrjen e vendimeve të duhura sa i përket politikës monetare, por edhe politikës mikro dhe makro-prudenciale.
Nuk ka dyshim se ne si bankë qendrore gjatë dhjetë viteve të fundit në mënyrë aktive i kemi ndjekur këto tendenca dhe azhuruar statistikën tonë me dimensione të reja. Filluam me përpilimin e llogarive financiare të sektorëve, si një mjet i rëndësishëm për monitorim më të mirë të dobësive në ekonomi, shpallja e parë e të cilit do të pasojë në vitin 2020. Të vetëdijshëm për rreziqet që mund të shfaqen në segmentet e sistemit financiar jashtë bankave, ne kemi përmirësuar statistikën e institucioneve depozituese me statistika për të gjithë institucione tjera financiare (fondet për pension, kompanitë e sigurimeve, fondet investuese, lizing kompanitë, shoqëritë financiare). Në kontekstin e sistemeve financiare dhe tregjeve, ne kemi vendosur theks të madh në statistikat e letrave me vlerë, gjë që siguron një infrastrukturë më të mirë analitike për zbulimin e rreziqeve në kohë. Jemi duke zhvilluar një bazë të gjerë dhe larmishme të treguesve për stabilitetin financiar dhe jemi të kyçur në sistemin e raportimit të FMN-së për të gjithë treguesit kryesorë për stabilitetin financiar, por edhe për një pjesë të të ashtuquajturve tregues „të rekomanduar“.
Prandaj, si një bankë qendrore, vazhdojmë të ndjekim nismat ndërkombëtare, duke pasuruar kornizën statistikore. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe korniza e pasuruar statistikore hap edhe shumë sfida të reja. Granulariteti në rritje i të dhënave dhe frekuenca me të cilën i fitojmë ato krijojnë një ekosistem në të cilin ka rritje eksponenciale të vëllimit dhe disponueshmërisë së të dhënave.
Heterogjeniteti dhe kompleksiteti i të dhënave që ne kemi aktualisht në dispozicion kërkon një qasje gjithëpërfshirëse për shndërrimin e tyre në statistika zyrtare. Sfidat kryesore me të cilat përballemi sot, por dhe shumë banka të tjera qendrore lidhen me: teknologjia e përdorur për të përpunuar vëllimin e pasuruar të të dhënave, menaxhimin e të dhënave (ang. Data governance), standardizimin e tyre për qëllime statistikore, ruajtjen e parimit të konfidencialitetit në kushte të rritjes së numrit të të dhënave individuale, si dhe ekuilibrimin e nevojës në rritje për të dhëna dhe barrën e cila ua imponon këtë agjentëve ekonomikë raportues.
Aktualisht, teknologjia është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen thuajse të gjithë krijuesit e statistikave. Vetëm të dhënat nuk janë të mjaftueshme nëse nuk ekziston infrastrukturë adekuate për të shndërruar ato në një formë të dobishme për vendimmarrje. Një hap i tillë para nesh është ndërtimi i një depoje moderne të të dhënave. Nevoja për të pranuar, integruar, përpunuar dhe raportuar për një sasi të madhe të të dhënave për përdoruesit e shumtë në bazë ditore kërkon krijimin e një sistemi modern të informacionit të bazuar në biznes informacione (biznes-inteligjencë).
Përshtatja në një sistem të tillë teknologjikisht të përparuar gjithashtu kërkon krijimin e një procesi të menaxhimit të të dhënave (ang. Data governance). Aktualisht, ekzistojnë disa baza të decentralizuara të të dhënave statistikore, regjistra, të cilat janë të destinuar për qëllime specifike të aktiviteteve individuale të bankave. Simbioza e të gjithë këtyre burimeve hap një kapitull të ri brenda bankës qendrore, që është vendosja e procesit të sistematizuar për menaxhimin e të dhënave. Ky proces duhet të përqendrohet në nevojën e identifikimit të të dhënave si mjet i bankës qendrore me të cilin duhet të menaxhohet në nivel strategjik. Mësuar nga përvoja e partnerëve evropianë, zbatimi imponon nevojë për një strategji të qartë, politikë dhe udhëzime, por edhe nevojë për standardizim të përkufizimeve të të dhënave, standardeve për mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave... Me një fjalë, nevojë për ndryshim të kulturës së organizatës.
Projekti për krijimin e Sistemit të integruar për parashtrimin e të dhënave për nevoja statistikore dhe mbikëqyrëse në Bankën Popullore është pikërisht një shembull i tillë. Duke njohur nevojën për unifikimin dhe zëvendësimin e sistemeve të raportimit të pjesshëm nga ana e bankave për qëllime statistikore dhe mbikëqyrëse, ne jemi të përkushtuar të krijojmë një sistem të vetëm, shumë funksional të raportimit. Përfitime e mundshme për ne dhe partnerët tonë - bankat dhe shtëpitë e kursimeve janë të mëdha - barrë më e vogël raportimi, dhe një sërë më të pasur të dhënash granulare, që mund të përdoret për më shumë qëllime, me ç’rast do të ndryshohet mënyra tradicionale e parashtrimit „agregate“. Vetëm të rikujtojmë se një nga mësimet nga kriza është se të dhënat agregate nuk janë gjithmonë të mjaftueshme për të zbuluar dobësitë e sistemit.
Kërkesat teknologjike, si dhe nevoja për koordinim dhe standardizim nuk është proces i cili mbetet brenda bankës qendrore. Përballë përmbushjes së standardeve statistikore evropiane, komunikimi dhe koordinimi ndërmjet bartësve të kërkimeve statistikore është i rëndësishme. Në rastin tonë, ne jemi krenar për koordinimin e shkëlqyeshëm me partnerët tonë, ESSH dhe MF, të cilët janë sot me ne. Një hap i rëndësishëm më tutje do të jetë vendosja në funksion i të ashtuquajturit sistem i koordinimit të integruar të krijimit të statistikës qeveritare, me të dhëna në kohë reale, të disponueshme për të tre institucionet. Në fund të fundit, kjo do të nënkuptonte statistika më konsistente fiskale, financiare dhe makroekonomike.
Pavarësish nga forca e krizës globale, proceset e inovacionit dhe digjitalizimit vazhduan edhe në periudhën pas krizës dhe janë gjerësisht të shprehura edhe në industrinë financiare. Digjitalizimi i këtillë dhe risia e shërbimeve financiare imponojnë sfida të reja për përcjelljen dhe matjen e tyre statistikore. Në të njëjtën kohë, në botën statistikore vazhdon të rritet numri i iniciativave për përdorim aktiv të të ashtuquajturave „të dhëna të mëdha“ (ang. big data), një paradigmë e re e cila i ndryshon profilet e bartësve të statistikave, proceseve statistikore, por edhe analizës së përgjithshme ekonomike dhe financiare. Statisticientët në plan global eksperimentojnë më shumë me të dhëna të mëdha strukturore dhe jo-strukturore, burimi i të cilave jemi të gjithë ne si individë dhe të cilat janë të marra në mënyrë kompjuterike. Mundësia e përdorimit të këtyre të dhënave si një burim inovativ për statistikat zyrtare gjithnjë e më shumë po hulumtohet. Sfidat e këtij plani natyrisht janë shumë të mëdha, duke pasur parasysh nevojën për të vlerësuar saktësinë, qëndrueshmërinë dhe bazat metodologjike të këtyre sistemeve të të dhënave, si dhe nevojën për të gjetur burime njerëzore dhe teknologji të përshtatshme për menaxhimin e tyre.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, janë investimet në përmirësimin e procesit të shpërndarjes së statistikave me publikun. Ky është një cikël i përsëritshëm në të cilin vazhdimisht përpiqemi për një komunikim më të mirë përmes sondazheve për kënaqësinë e raportuesve dhe përdoruesve, përmes publikimit të njoftimeve statistikore për publikun. Së shpejti do të futet në përdorim edhe një ueb-portal i ri për përdorues të jashtëm - „NBStat“. Ky ueb-portal do të jetë një mjet modern statistikor i krijuar për komunikim interaktiv me përdoruesit, gjë që do të zgjerojë konsiderueshëm mundësitë për analiza të të dhënave në statistikën tonë të bankingut qendror.
Vërtetim për angazhimin tonë për avancimin e shpërndarjes së të dhënave është edhe aderimi i vendit tonë në standardet më të larta statistikore për shpërndarje të Fondit Monetar Ndërkombëtar - SDDS plus, me ç’rast në fillim të këtij viti u bëmë njëri nga aktualisht nëntëmbëdhjetë vendet e botës, statistika e të cilave është harmonizuar me këtë standard më të lartë statistikor.
Të nderuar,
Një pjesë e madhe e nismave pas krizës në fushën e statistikës janë rrumbullakuar edhe në plan global edhe në vendin tonë, ose aktivisht punohet në zbatimin e tyre. Por është e qartë që mjedisi është dinamik dhe vazhdimisht imponon nevojë për ndryshime në arkitekturën e të dhënave të bankave qendrore. Siç theksoi në një rast Mario Dragi: Nuk kemi dyshime se statistika e vendosur mirë brenda kornizave të Evropës do të vazhdojë të sigurojë një „fotografi të madhe“ për zhvillimet ekonomike, por nevojitet që të gjithë, vazhdimisht të ofrojmë lupë me të cilën rregullisht, mirë dhe saktësisht do të shihen detajet e „fotografisë“[1]. Shikimi i detajeve siguron një kuptim më të mirë të fenomeneve ekonomike dhe njëkohësisht rrit fleksibilitetin tonë për t'iu përgjigjur nevojave të papritura të përdoruesve të statistikave.
Jam e sigurt që ne, bartësit kryesorë të hulumtimeve statistikore, do të jemi gjithmonë të gatshëm t'u përgjigjemi sfidave të reja. Përpunimi dhe shpërndarja e statistikave në përputhje me standardet më të fundit evropiane janë dhe besoj se gjithmonë do të jetë qëllimi ynë strategjik. Në ditët tona moderne, mesazhi i babait të statistikave, Karl Pirson është më se i qartë se: Statistika është gramatika e shkencës. Nga perspektiva e sotme, do të shtoja: „Dhe gramatika e gjuhës në të cilën duhet të flasin dhe të kuptojnë njëri tjetrin krijuesit e politikave dhe vendimmarrësit“.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.
[1] Dragi, M. Welcome address at the Eighth ECB Statistics Conference, Central Bank Statistics: moving beyond the aggregates, Frankfurt am Main, 6 July 2016. E qasur më 22.10.2019, në internet faqen zyrtare të BQE-së: https://www.ecb.europa.eu/press/key/date/2016/html/sp160706.en.html