Fjala e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në Dialogun Ekonomik dhe Financiar midis BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, 19 maj 2020, video-konferencë
Fjala e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në Dialogun Ekonomik dhe Financiar midis BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, 19 maj 2020, video-konferencë
Të nderuar përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Eurostat-it, të nderuar ministra dhe guvernatorë,
Jam e kënaqur që jam mes jush në Dialogun e rregullt Ekonomik dhe Financiar. Ky takim virtual sot tregon gjendjen momentale të jetës sonë dhe rreziqet me të cilat përballemi ne si njerëzim. Një krizë shëndetësore lokale u shndërrua në një pandemi dhe vetëm në një moment i shkëputi të gjithë lidhjet globale sociale, ekonomike dhe financiare.
Duke pasur parasysh natyrën e hapur tregtare dhe financiare të ekonomisë maqedonase, këto ndërprerje të mëdha, të papritura dhe të sinkronizuara, bashkë me masat vendase për trajtimin e virusit, krijuan shumë sfida në segmente të ndryshme të ekonomisë. Në kushte të një strategjie monetare të kursit stabil të këmbimit, konteksti i këtillë thekson nevojën për arritjen e ekuilibrit midis ruajtjes së kursit stabil të këmbimit, nga njëra anë dhe, sigurimit të stimulit monetar për mbështetje të ciklit të kredisë nga ana tjetër.
Ulja e remitancave, investimeve të huaja direkte, rënia e eksporteve për shkak të integrimit relativisht të lartë në zinxhirët globale evropiane, bashkë me pritjet më pak të favorshme për subjektet vendase dhe preferenca e rritur për ruajtjen e eurove, ushtruan presione të caktuara në tregun e këmbimit valutor në fillimin e krizës së koronës.
Sidoqoftë, përballë nivelit të lartë të rezervave valutore, të mbështetura edhe nga Instrumenti për Financim të Shpejtë nga FMN-ja, si dhe komunikimi i intensifikuar i bankës qendrore, besimi u kthye relativisht shpejt, duke krijuar hapësirë për një impuls monetar me uljen e normës bazë të interesit dhe sigurimin e likuiditet përmes masave standarde dhe jostandarde. Kjo lehtëson edhe financimin e impulsit fiskal, i cili lind nga stabilizuesit automatikë dhe masat e matura, dhe bashkë me të kombinimin e koordinuar i politikave. Gjithashtu prezantuam një fleksibilitet të përkohshëm rregullator, që synon klientët e bankave që janë të aftë për kredi dhe që janë prekur nga kriza e koronës.
Në përgjithësi, të gjitha masat e marra kanë një qëllim të përbashkët - sigurimin e qasjes më të lehtë në mjete financiare dhe zbutjen e pasojave negative për ekonominë, mirëpo me rëndësi të veçantë është që reagimi mundësohet nga hapësira e krijuar përmes politikave të marra më herët. Kjo i referohet rezervave valutore që janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në periudhën e fundit, që është pasqyrim i bazave të përmirësuara ekonomike dhe pozicionit të jashtëm të ekonomisë, por edhe i sistemit bankar i cili karakterizohet nga likuiditet i lartë dhe pozicioni i kapitalit, si një pasqyrim i kuadrit të forcuar rregullator dhe mbikëqyrës në periudhën pas krizës globale. Udhëzimet e dhëna në procesin e konsultimit, në përputhje me Programin për Reforma Ekonomike, kanë luajtur një rol të madh në forcimin e mëtutjeshëm të pozitës së sistemit bankar. Komiteti i reformuar për Stabilitet Financiar, i cili tani i përfshin të gjithë rregullatorët financiarë, mandati makroprudencial më qartë i përcaktuar i bankës qendrore, zbatimi i strategjive për trajtimin e kredive me probleme, si dhe strategjisë për denarizim - të gjithë këto forcojnë sistemin dhe kapacitetin e tij për absorbim të goditjeve.
Sidoqoftë, ne nuk duhet të injorojmë pasigurinë e pranishme dhe mundësinë e vazhdimit të krizës aktuale, e cila mund të ngushtojë hapësirën për reagim të mëtutjeshëm, gjë që thekson rolin e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe BE-së. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke marrë parasysh nivelin relativisht të ulët të kursimeve vendase dhe tregjet e cekëta vendore.
Mësimi i qartë nga kjo krizë është se në një kohë kur jemi të përqendruar në "shuarjen e zjarrit", nuk duhet të harrojmë pengesat strukturore që duhen hequr në mënyrë që të rritet potenciali afatgjatë i ekonomisë, të zvogëlohet ndjeshmëria dhe rrjedhimisht të rritet hapësira e politikave për të trajtuar më mirë tronditjet në të ardhmen.
Më në fund, më lejoni të shpreh mirënjohjen time për dialogun dhe vlerësimin e zbatimit të Programit për Reforma Ekonomike, të cilat janë baza për forcimin e kapacitetit tonë institucional dhe zgjidhjen e problemeve strukturore, me qëllim të përshpejtimit të konvergjencës reale dhe integrimit në BE.
Ju faleminderit!